“Fituesit nuk pëlqehen”, përse Guardiola ka nisur të ankohet?!

Mançester Siti është sot në prag të finales së Kupës së Anglisë, që mund t’i japë trofeun e tretë, madje të katërt kombëtar. Pep Guardiola ka mundësi të shtojë një tjetër titull, pas Kupës së Ligës, Premier Ligës dhe Superkupës së Anglisë, por trajneri katalanas duket disi i pezmatuar, edhe pse shikohet i qeshur në stërvitje. Në konferencën për shtyp përpara duelit me Uatfordin, Pepi bëri një vërejtje.

“Njerëzit nuk i pëlqejnë fituesit, – tha ai, – edhe këtu, edhe në Spanjë, në Itali, kudo! Ndjej se lojtarët tanë dhe të gjithë njerëzit në klub janë të lumtur me këtë që kemi bërë, po ashtu tifozët, por nuk po marrim respektin që meritojmë. Mendoj se Liverpuli apo Mançester Junajtidi po merren më shumë seriozisht sesa ne”.

Guardiola arsyetoi se fitorja e titullit nga Siti u quajt “një arritje”, ndërsa nëse do të kishte fituar Liverpuli, që priste 29 vjet, kjo do të kishte qenë një “arritje e jashtëzakonshme”. Katalanasit e kupton se standardet nuk janë thjesht dy tituj radhazi, po epoka suksesi si ato të Mançester Junajtidit me Sër Aleks Fergusonin apo të Liverpulit me Bob Pejslin në vitet 70-të e 80-të. Nuk dihet nëse ai do të ketë kohën, fatin dhe zotësinë për t’ia dalë, aq më tepër me dënimin e pritshëm të UEFA-s.

Sfidanti.al