Do të nisin të shtunën dhe një çift spikat mbi të gjithë. Angli-Gjermani është kryendeshja e raundit të dytë të Europianit, ndërsa duhet pritur deri të martën për ta ndjekur në stadiumin “Uembli” në orën 18:00. Gjermanët shpëtuan nga eleminimi në minutat e fundit ndaj Hungarisë duke barazuar 2-2 në atë që u quajt “Grupi i vdekjes”. Anglezët, ndërkaq, nuk kanë bindur pavarësisht se arritën të zinin vendin e parë në grupin e tyre, por duke shënuar vetëm 2 gola.
Ndeshjet e të tetave të finaleve nisin të shtunën me Uellsin ndaj Danimarkës në orën 18:00 në Amsterdam. Danezët do të luajnë sërish për Kristian Eriksenin, shokun e tyre që thuajse humbi jetën në fushë, veçse Uellsi është një rival i fortë që jo më kot arriti gjysmëfinalet në Euro 2016. Po të shtunën veçse në orën 21:00, Italia ndeshet me Austrinë në “Uembli” të Londrës. Të Kaltrit janë kthyer në favoritë të turneut dhe pritet të kualifikohen, ndonëse ekipe si Hungaria treguan se nuk ka ndeshje të lehta.
Të dielën, Holanda ndeshet me Republikën Çeke në Budapest në 18:00. “Tulipanët” jepen favoritë për kalimin e turit me lojtarë si Vajnaldum apo Depai, kurse çekët mund të kenë ndoshta më shumë tifozë në një stadium më pranë shtëpisë. Mbrëmjen e së dielës, në 21:00 në Sevilje luhet sfida e madhe Belgjikë-Portugali. Belgët janë ndër favoritët për fitoren e Europianit, por portugezët janë kampionë në fuqi të Europës dhe udhëhiqet nga Kristiano Ronaldo, ndaj përfundimi është i paparashikueshëm.
Kroacia e Modriçit luan shanset e saj me Spanjën në një duel të paqartë në orën 18:00 të së hënës në Kopenhagen. Ballkanasit kanë luajtur mirë me hope, por po ashtu iberikët që rrezikojnë. Franca, kampionia e botës në fuqi dhe pretendenti numër 1 për titullin europian duhet të bindë më shumë sesa ka bërë deri tani, kur të dalë në fushë ndaj Zvicrës, të hënën në orën 21:00 në Bukuresht. Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka do të përpiqen të shkaktojnë një të papritur, edhe pse pritet ta kenë shumë të vështirë. Së fundi, të martën në orën 21:00 luhet Suedi-Ukrainë në Gllazgou.
Sfidanti.al