Është finale kupe apo vjedhje? Tërbohen tifozët për “Uemblin”

Më parë kanë qenë tifozët e Bajernit që kanë vënë “kujën” sepse u dogji xhepi. Edhe në Angli ka pasur ankesa, por këtë herë duket se “volumi” është më i lartë. Tifozët e Mançester Junajtidit dhe të Çelsit që pritet të jenë kundër në finalen e Kupës së Anglisë në “Uembli”, u bënë bashkë për një kauzë që u përket të gjithëve, çmimet e biletave.

Federata Angleze duket se ka gjetur një rast për të “rrjepur” njerëzit, dhe çmimi i biletave për të rriturit fillon nga çmimi 145 paund stërlina. Kjo është një rritje 30 për qind, siç është rritje për çdo kategori tjetër. “Rritja e çmimit e ilustron edhe një herë sherrin që kemi pasur me Federatën, si organizatore e kupës, por edhe si ofenduesja më e madhe kur vjen puna për çmime të tillë të çmendur për tifozët”, u shpreh një zëdhënës i Klubit të tifozëve të Man. Junajtidit.

“Ne nuk habitemi aspak, – shprehen tifozët e Çelsit, – kjo është mënyra tipike dhe e turpshme e Federatës. Kaq kaq shumë para në futboll, dhe ata sërish kanë makutërinë që të vjedhin shuma sa më të mëdha nga xhepat e tifozëve”.

Sfidanti.al