Ku shkoi treshja e madhe? Oklahoma në prag eleminimi në NBA

Ishte një nga skuadrat më të forta në sezonin e rregullt. Oklahoma sikur e amortizoi largimin e Kevin Durantit, dhe në krah të Rasëll Uestbrukut këtë vit luanin Pol Xhorxhi e Karmelo Entoni, ndaj gjithçka dukej e mrekullueshme. Për fat të keq, mrekullia mbeti në sezonin me katër faza, ndërsa në plej of nisën dhimbjet e kokës.

Oklahoma është në prag të eleminimit që në raundin e parë, pasi ndodhet në dizavantazh 1-3 me ndeshje ndaj Juta Xhazit. Ku shkoi treshja magjike, që duhej të dukej më shumë në momentet vendimtare? Uestbruk nuk po arrin më “tripëll dabëlla”, Entoni duket i vjetër, ndërsa Xhorxhi shënon pikë, por bën pak nga të tjerat.

Juta fitoi lehtë ndeshjen e katërt në fushën e vet, 113-96, një përballje ku Uestbruk shënoi 23 pikë, kapi 14 topa në tabela, por shërbeu vetëm 3 asistë. Xhorxh shtoi 32 pikë, por vetëm 6 topa në tabela e 2 asistë, ndërsa Entoni pati vetëm 11 pikë e 6 topa në tabela. Pak për të përballuar një skuadër agresive, ku gjashtë lojtarë shënojnë mbi 10 pikë, ku shkëlqeu Donovan Miçëll (33 pikë, 7 tabela, 4 asistë) si dhe spanjolli Riki Rubio.

Sfidanti.al