Elbasani-Tirana pa fitues

Një penallti e dhënë për Elbasanin nga gjyqtari Laver Alla, kontestohet ashpër nga Tirana, që braktis fushën e lojës për disa minuta. Mbyllet pa fitues në barazim 1-1 sfida në “Elbasan Arena”. Gjithçka ndodh në pjesën e dytë. Bardheblutë kalojnë të parët në avantazh me Tabeku, por vendasit barazojnë shifrat me Tsague nga pika e bardhë e penalltisë.

Elbasani dominon pjesën e parë të takimit, por verdheblutë nuk arrijnë të gjejnë golin. Në pjesën e dytë surprizojnë bardheblutë, që kalojnë në avantazh falë një goli të shënuar nga Tabeku.

Sfida ndizet dhe vendasit hidhen në sulm në kërkim të golit të barazimit. Gjyqtari Laver Alla akordon një 11-metërsh për verdheblutë, që kontestohet ashpër nga lojtarët dhe drejtuesit e Tiranës. Tsague shëbnon nga pika e bardhë dhe në shenjë proteste miqtë largohen nga fusha.

Pas disa minutash Tirana rikthehet në fushë. Elbasani kërkon golin e avantazhit, por nuk arrin që të realizojë. Mbyllet në barazim 1-1 ndeshja në “Elbasan Arena”.

Vendasit marrin një pikë dhe ngjiten në kuotën e 33 pikëve në vendin e dytë në klasifikim, ndërsa Tirana merr barazimin e tretë radhazi në kampionat dhe shkon në kuotën e 10 pikëve, por vazhdon të mbetet në vendin e fundit në klasifikim.