Elbasani studion BATE Borisov

Elbasani ka mësuar tashmë kundërshtarin e tij në turin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, teksa përballë do të ketë një nga emrat më të njohur të futbollit bjellorus, BATE Borisov. Në letër duket një short i vështirë për verdheblutë, pasi bëhet fjalë për një klub me eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare dhe me pjesëmarrje të shumta në kompeticionet europiane. Megjithatë, situata aktuale e skuadrës bjelloruse është larg asaj të viteve të arta. BATE po kalon një sezon të komplikuar në kampionatin vendas, ndërsa kjo është një arsye më shumë që në kampin verdheblu të besojnë se mund të luajnë shanset e tyre për një rezultat pozitiv.

Në Elbasan nuk ka vend për eufori, por as për frikë, ndërsa përgatitjet për dy sfi dat kanë nisur menjëherë pas shortit. Trajneri Ivan Gvozdenoviç ka komentuar rivalin e parë europian të skuadrës së tij, duke theksuar se stafi teknik ka nisur menjëherë punën për të mbledhur sa më shumë informacion.  Tekniku serb pranon se ende nuk ka një panoramë të plotë për BATE Borisovin e këtij sezoni, por zbulon se puna për analizimin e kundërshtarit ka nisur që në momentin kur u hodh shorti. Duke qenë se kampionati bjellorus është në zhvillim, stafi teknik do të ketë mundësi të ndjekë ndeshjet dhe të analizojë në detaje mënyrën e lojës së rivalit.

 

 

“Shorti është interesant dhe përballë kishim skuadra shumë të forta. Nuk mund të komentoj shumë tani, sepse nuk e njohim mirë ekipin aktual. Gjithsesi, që nga hedhja e shortit kemi nisur të mendojmë për këtë kundërshtar për të marrë sa më shumë informacion. Atje ka filluar kampionati, kanë bërë 11-të ndeshje dhe jam i sigurt që do të marrim shumë informacion tani para se të luhet ndeshja e parë”, u shpreh fillimisht tekniku i Elbasanit.