Elbasani e ka kaluar me sukses një nga sfidat më të mëdha të viteve të fundit: ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe arritjen e mbijetesës në vitin e saj të parë. Por, tani nis beteja më e vështirë, ndërtimi i një skuadre që të jetë jo vetëm konkurruese, por pretendente për objektiva të mëdha.
Ambicia në klub është e qartë: Elbasani nuk dëshiron të jetë një ekip i zakonshëm në Superiore, por një forcë që të rivalizojë për vendet europiane. E megjithatë, realiteti në merkato, deri tani është shumë larg këtyre aspiratave. Merkatoja është në duart e drejtuesve, por presioni është gjithnjë e më i madh. Koha nuk pret dhe tifozët gjithashtu.
Të gjithë në qytet flasin për ndërtimin e një skuadre të fortë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë firmë zyrtare. Drejtuesit e klubit mbeten të rezervuar dhe shpjegojnë se po punohet me kujdes për të bërë përforcime me cilësi, jo me sasi. Por mungesa e zyrtarizimeve po fillon të ngjallë shqetësim, sepse lojtarët e mirë janë me pikatore. Klubi e ka të qartë se koha nuk është në anën e tyre. Sezoni i ri afrohet me shpejtësi dhe çdo ditë pa lëvizje konkrete është një pengesë më shumë për ndërtimin e një grupi të konsoliduar.
Edhe pse zyrtarisht nuk ka pasur lëvizje, në ambientet sportive të qytetit dhe në media janë përmendur disa emra interesantë. Fillimisht, vëmendja është përqendruar te porta. Një portier nga Çekia me eksperiencë, është më pranë firmës dhe mund të jetë afrimi i parë i rëndësishëm. Mbrojtja ka nevojë për organizim dhe përvojë, sidomos në një sezon ku ndeshjet ndaj ekipeve të mëdha nuk do të falin asnjë gabim. Mesfusha kërkon një përforcim kyç, një organizator me vizion dhe qetësi në lojë. Janë lakuar disa emra, ndërsa klubi po kërkon edhe një lojtar me tipare të “regjisorit klasik”. Në sulm, Elbasani ka shënjestruar dy profile: një sulmues që mund të luajë si “9” klasik dhe një lojtar i shpejtë në krahë. Janë përmendur disa emra, por pa ndonjë zhvillim konkret deri më tani.
Koha është një nga sfidat më të mëdha të merkatos verdheblu. Klubi ka njoftuar se përgatitjet për sezonin e ri do të nisin më 30 qershor, ndaj afrimet duhet të bëhen sa më shpejt për të krijuar një grup të plotë që të punojë që nga dita e parë. Çdo ditë pa lëvizje konkrete në merkato rrit presionin dhe ul kohën për integrim të lojtarëve të rinj. Trajneri dhe stafi teknik kanë kërkuar që të paktën bërthama kryesore e skuadrës të jetë e kompletuar për nisjen e fazës përgatitore, në mënyrë që të shmanget vonesa në ndërtimin e skemave taktike dhe harmonisë në grup.
sfidanti.al