Elbasani nuk ia doli as këtë javë të lërë pas serinë e mungesës së fitoreve, duke u mjaftuar me vetëm një barazim në transfertën mallakastriote. Dy pikë të lëna, duke qenë se verdheblutë shënuan të parët dhe kishin mundësi të mbyllnin ndeshjen, por pa ia dalë dot. Shpresat për kalimin e këtij ngërçi ishin pikërisht te kjo përballje, duke parë se në dy të parat verdheblutë patën marrë pikët e plota. Edhe njëherë tjetër Elbasani tregoi se nuk e ka petkun e një ekipi që të pretendojë, pavarësisht cilësive individuale të futbollistëve apo investimeve të kryera nga drejtuesit me ndërhyrjet që bënë në merkato.
Barazimi në Ballsh e futi Elbasanin zyrtarisht në vorbullën e ekipeve që duhet të ruhen sa i përket mbijetesës. Verdheblutë vinin pas disa rezultatesh negative në kampionat, ku mjafton të thuhet se fitorja e fundit është marrë ndaj Teutës më 11 janar dhe që nga ajo sfidë kanë koleksionuar tri humbje dhe vetëm dy barazime. Pra, me vetëm dy pikë në pesë javët e fundit, elbasanasit mund të thuhet pa frikë se janë në një krizë rezultatesh. Pikërisht në momentin kur verdheblutë shpresonin të bënin hapin e rëndësishëm për të kapur “Final 4”, bëjnë hapa falsë dhe tani janë vetëm pesë pikë larg Bylisit në vendin e tetë dhe gjashtë ndaj Teutës që bie direkt. Pra, nuk janë më aq të sigurt sa dukej para disa javësh dhe është një situatë që duhet marrë seriozisht në këto javë të mbetura. Sakaq, katërshja mund të cilësohet si histori e mbyllur, ku përveç matematikës që i mban në lojë, asgjë tjetër nuk u jep shpresë. Si të mos mjaftonte ecuria jo e mirë e këtyre javëve të fundit, Elbasani ka “kundërshtar” edhe kalendarin. Thuhet kështu, pasi dy sfidat e radhës i ka me Vllazninë në transfertë, një nga pretendentet e këtij edicioni.
E para luhet për kampionat dhe më pas për ndeshjen e kthimit të Kupës, ku e para në “Elbasan Arena” është mbyllur pa gola. Janë 180 minuta, në mos më shumë, që mund të vlejnë sa i gjithë sezoni. Kupa është kthyer në mundësinë e vetme për të marrë pjesë në Europë, ndërsa një tjetër humbje në kampionat do rëndonte më shumë pozitat në klasifikim. Për këtë arsye, në “dopio” sfidën me shkodranët, verdheblutë luajnë gjithçka për gjithçka.
sfidanti.al