Dinamo ka një ngërç për momentin, çka ka bërë që kjo skuadër të lërë pikë të rëndësishme në javët e fundit. U shpresua që kjo situatë të lihej pas me një fitore ndaj Vllaznisë, por nuk ndodhi kështu. Blutë regjistruan ndeshjen e dytë radhazi pa shënuar në kampionat dhe të tretën bashkë me atë të Kupës ndaj Skënderbeut.
Diçka e pazakontë për kryeqytetasit, të cilët më shumë problem kanë pasur lojën mbrojtëse gjatë sezonit. Për fat të mirë, nuk kanë pësuar dy javët e fundit, por mungesa e golave ka bërë që skuadra e trajnerit Ilir Daja të mos shkojë më shumë se barazimi. Kur gjen golin, Dinamo është më e çlirët në lojën e saj. Duket sikur Dinamo ka një lloj varësie nga Peter Itodo Mandela, i cili mungon që prej derbit me Partizanin. Ai është një sulmues që i nxjerr individualisht golat dhe jo pak herë e ka shpëtuar skuadrën në momente të vështira. Pa të në fushë blutë kanë vuajtur dhe lajmi i mirë për stafin teknik është se nigeriani është shumë afër rikthimit. Problemet muskulore që e kanë lënë Madelën jashtë skuadre në dy ndeshjet me Skënderbeun, si dhe ato me Teutën dhe Vllazninë, duket se kanë kaluar, sipas rezultateve të vizitës së fundit që ka bërë lojtari. Autori i 10 golave për “Nëndetësen” në këtë kampionat pritet të jetë i gatshëm për sfidën e fundjavës me Laçin dhe ky sigurisht që është një plus për Dinamon. Kryeqytetasit kanë një lloj varësie edhe nga Baton Zabërgja, i cili nuk ka munguar në fushë në ndeshjet e fundit, por nuk ka qenë në nivelin e tij të zakonshëm. Jo vetëm me golat e shënuar, por më shumë me lojën e tij shpërthyese, sulmuesi anësor ka arritur të zhbllokojë ndeshjet herë pas here. Madje, edhe kur ka munguar Mandela më parë, Zabërgja ia ka dalë të bëjë mirë edhe qendërsulmuesin. Forma jo e mirë këtij lojtari në këto javë të fundit ka ndikuar edhe në rendimentin e skuadrës. Një tjetër lojtar që ka “penalizuar” Dinamon është Dejvi Bregu. Kujtojmë që vlonjati u dëmtua në momentin e tij më të mirë dhe mungoi për disa ndeshje në 2024- ën. Kur u rikthye dhe ishte duke kapur formën, Bregu u ndal nga një gjendje virale, që e ktheu pas.
Mungoi në Durrës me Teutën dhe ndaj Vllaznisë luajti si zëvendësues. Me rikthimin e tij titullar, pritet që edhe Dinamo të ndryshojë, pasi bëhet fjalë për një lojtar me kualitet, që është në gjendje të filtrojë topa në mbrojtjen kundërshtare apo edhe të godasë portën. Mbetet të shihet tani nëse Bregu do të jetë titullar të premten ndaj Laçit apo jo. Kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë për Dinamon dhe trajneri Daja ka nevojë për një sulm efikas. Me rikthimin e Mandelës dhe Bregut, edhe Zabërgja dhe skuadra do ta kenë më të lehtë për të gjetur golat e munguar.
sfidanti.al