Egnatia me shumë mungesa në formacion

Egnatia luan të premten ndeshjen e javës së 26-të, ndërsa në ora 13:30 do të ketë përballë Dinamon. Skuadra, që vjen pas barazimit pa gola me Teutën në Rrogozhinë, është duke u stërvitur normalisht, pavarësisht se ka probleme. Kështu për arsye kartonësh do të mungojnë Aleksi dhe Spahiu. Ka probleme dëmtimesh Muhamed dhe Mario Gjata, por që të dy mendohen se do të jenë të gatshëm për trajnerin Edlir Tetova. Ndërkohë rikthehet në formacionin rrogozhinas Renato Malota. E enjtja parashikohet që të ketë dhe konferencën për shtyp të trajnerit Edlir Tetova, ndërsa aktualisht pikët aktuale në renditje i krijojnë luksit rrogozhinasve që të bëjnë dhe rrotacion në formacion për të qenë gati më pas për fazën finale të kampionatit, atje ku kërkohet për herë të parë titulli kampion. Në dy fazat e para, Egnatia ka fituar të dy ndeshjet 3-0 dhe 2-1. Që do të thotë se do të jetë një sfidë ndoshta e lehtë për Egnatian. Në anën tjetër, Egnatia tregohet dhe një skuadër solidare, apo që shpërndan ndihma për të tjerë, teksa ka dhuruar për shkollën 9-vjeçare të Lekajt, pranë së cilës ndodhet dhe fusha stërvitore, mbi 50 tituj librash. Tanimë e gjithë vëmendja tek sfida e së premtes me Dinamon.

sfidanti.al