Edhe Kilian Mbape realizon revanshin e tij në kombëtaren e Francës

Askush përpara tij nuk i kishte arritur 50 ndeshjet në moshë kaq të re. i takon Kilian Mbapesë ky rekord, duke lënë pas legjendat e së kaluarës si Mishel Platini, Zinedin Zidan, vetë trajnerin e tij Didie Deshamp apo Karim Benzemanë e sotëm. Sulmuesi 22-vjeçar e festoi siç duhet ditën e rëndësishme duke shënuar një gol e duke krijuar golin e parë të realizuar nga Benzema, ndërsa Franca përmbysi Belgjikën në 3-2, nga shifrat 0-2. Ai sot ka 50 ndeshje dhe 18 gola, si dhe një numër të rëndësishëm asistesh. Mbape është ende larg vendeve të para të golshënuesve në kombëtare, por nuk besohet se do ta ketë shumë të vështirë të kalojë rekordin që e mban Tieri Henri me 51 rrjeta. Po ashtu, ai është shënuesi i tretë më i mirë i Paris SG me 136 gola, jo edhe aq larg rekordit të Edinson Kavanit me 200 dhe shifrës 156 të Zllatan Ibrahimoviçit.

Sfidanti.al