Edhe 100 Kristiano Ronaldo! Legjenda portugeze mbush 35 vjeç!

Do të plaket në fushën e lojës, ndoshta si Stenli Metjusi. Futbolli është jeta për Kristiano Ronaldon, është dashuria dhe ambicia e pashuar, është mundësia për t’u ndjerë në maksimum, për të kënaqur egon e panginjshme, dhe për t’u bërë numri 1 në botë. Ndoshta, nuk do të mund të vlerësohet si Pele, Maradona apo Mesi, por padyshim do të jetë shumë e vështirë të vendoset poshtë tyre.

Edhe pse jemi në orë shumë të vonë, në 11:00 të natës, sërish ja vlen t’ia urojmë ditëlindjen legjendës nga Portugalia, futbollistittë pangjashëm me askënd, që mbushi sot 35 vjeç. Më mirë vonë se kurrë, thotë populli! Juventusi thotë se Kristiano ka fizikun e një 20-vjeçari, por kalendari nuk gënjen!

Në këtë moshë, kur tërheqja nga futbolli duket ende larg, ai ka arritur aq shumë, dhe ka mundësi të arrijë përsëri. Ka shënuar 723 gola në karrierë, një nga realizuesit më të mirë të të gjitha kohëve, dhe po i afrohet barrierës së 1 000 ndeshjeve (995 deri tani). Ka dhënë edhe 251 asiste, duke u treguar edhe lojtar skuadre. Ka fituar 30 tituj dhe ka luajtur 31 finale, duke qenë në ndjekje të Dani Alveshit, Mesit apo Ksavit.

Ka 5 Champions, dhe vetëm Gento i Realit ka më shumë (6). Ka 4 Këpucë të Arta dhe 5 Topa të Artë, e vetëm Mesi ka më shumë, 6 Këpucë të Arta e 6 Topa të Artë. Është shënuesi më i mirë në historinë e Championsit me 128 gola, është golshënuesi më i mirë i 7 edicioneve në Champions, si askush tjetër, ka 99 gola për Portugalinë, duke qenë pranë rekordmenit absolut botëror, Ali Daeit të Iranit që ka 109. Ka dy tituj me Portugalinë, Euro 2016 dhe Ligën e Kombeve 2019, të vetmit trofe të kombëtares së tij.

Është shënuesi më i mirë në historinë e Realit, me 451 gola në 438 ndeshje, duke lënë pas legjendat Raul Gonzales (323) e Alfredo Di Stefano (308). Ka provuar 8 trajnerë, që nga Bolonji, Ferguson, Pelegrini, Murinjo, Ançeloti, Benitez, Zidan, Alegri e Sarri. Së fundi, ka shënuar në 22 turne të ndryshëm!

Sfidanti.al