Me gjasë, Hansi Flik do të duhet të mendojë për të. Bajerni mbeti i vetmi nga rivalët e mëdhenj të Bundesligës, që shpëtoi “gjallë” nga duelet e të tetave të finaleve të Kupës së Gjermanisë, por ama vetëm pas një rezultati 4-3. Kur mendon se kjo ndodhi në “Alianc Arena”, në stadiumin e mbushur me 71 500 spektatorë (100 për qind bileta të shitura), natyrshëm të vjen një shqetësim. Përse të pësojë 3 gola Bajerni i madh, aq më tepër nga Hofenhajmi jo edhe aq i shkëlqyer?
Natyrisht, loja në tërësi ishte më mirë për bavarezët, që mbajtën topin 60 për qind dhe gjuajtën 15 herë drejt portës (12 miqtë). Gjithsesi, nuk ishte ajo epërsi që pritej, pavarësisht se nuk munguan golat e Robert Levandovskit (2) dhe Tomas Mylerit. Sulmuesi polak arriti në 35 rrjeta sezonale, në 29 ndeshje, një nivel vërtet prej Mesi dhe Ronaldoje. Trajneri Flik luajti me formacionin më të mirë të mundshëm: Nojer, Pavar, Boateng (Odriozola 83’), Alaba, Dejvis, Tolisi, Kimih, Gnabri, Myler (Kuisons 81’), Kutinjo, Levandovski (Zirkze 81’).
Sfidanti.al