Po vlerësohet se po e realizon ringjalljen e ekipit të tij edhe në kushte tepër të vështira, dhe me lojtarin kryesor të dëmtuar. Zhoze Murinjo hodhi një tjetër hap drejt suksesit këtë sezon me Totenhemin, duke u kualifikuar për në të tetat e finaleve të Kupës së Anglisë. Gjithsesi, ndeshja e përsëritur ndaj Sauthemptonit në “Uajt Hart Lejnin” e ri ishte shumë më e vështirë sesa mendohej, padyshim më impenjative sesa fitorja 2-0 ndaj Mançester Sitit fundjavën e kaluar në Premier Ligë.
Edhe pse Spërsat kaluan të parët në epërsi (autogol i Stefensit), miqtë nga Sauthemptoni merituan barazimin në pjesën e parë (Long), dhe epërsiën pas pushimit (Ings 72’). Sidoqoftë, djemtë e Murinjos thanë fjalën e fundit pasi Lukas Moura barazoi në 78’ dhe koreanojugori Son shënoi golin e fitores në 88’. Sauthemptoni luajti më mirë, por humbi. Tashmë, Totenhemi do të luajë në fushën e vet ndaj Noruiçit dhe do të ketë shans për çerekfinalet.
“Unë mendoj se bëra gjithçka mirë, – ishin fjalët e Murinjos pas ndeshjes, – duhet të jem i ndershëm dhe të pranoj se skuadra më e mirë humbi, por mendoj se skuadra ime pati zemër më të madhe dhe e vendosi atë në fushë. E pata shumë të vështirë të ndërtoja një skuaër, jo më të kisha alternativa në stol, por ia dolëm. Kur pësuam golin e dytë, ishte një prekje në sedër dhe skuadra reagoi”.
Shorti i të tetave të finaleve: Çelsi-Liverpul, Derbi Kaunti-Mançester Junajtid, Leister-Birmingam, Portsmuth-Arsenal, Reding-Shefild Junajtid, Shefild Uensdi-Mançester Siti, Totenham-Noruiç, Uest Brom-Njukasëll. Që nga ky raund nuk do të ketë më ndeshje të përsëritura, por shtesa dhe penallti. Skuadra më modeste e mbetur është Portsmuthi i ligës së tretë.
Sfidanti.al