Ishte e pritshme që ndeshja të fitohej nga skuadra favorite, dhe basketbollisti favorit. Miluoki dhe Janis Antetokumbo e mbyllën me sukses udhëtimin për në Nju Orlins, duke fituar 120-108, duke forcuar pozitat në krye të renditjes së NBA-së, si dhe duke fituar një duel personal. Antetokumbo u shfaq më mirë sesa ylli vendas, Zion Uilliamson, pasi shënoi 34 pikë, kapi 17 topa në tabela e shërbeu 6 asistë. Shumë i saktë në gjuajtjet nga loja, dhe udhëheqës i vërtetë në sulm e në mbrojtje, Antetokumbo duket i paarritshëm këtë sezon.
Uilliamson nuk u paraqit keq, edhe pse për momentin nuk mund të bëjë më shumë. Ai shënoi 20 pikë në 31 minuta në fushë, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 5 asistë. Aspak keq, ndonëse gaboi shumë në gjuajtje. E qartë që Miluoki pati edhe skuadrën më të mirë me Kris Midëlltonin, Bruk Lopezin, Uesli Metjusin, Erik Bledsoun e Donte DeVincenson, madje edhe me veteranin Kajl Korver.
Të kuptohemi, Uilliamson është vetëm 19 vjeç, dhe ka fare pak ndeshje përvojë në NBA, saktësisht 7, dhe më pak se 200 minuta (189), pra ai është ende si nxënësi i klasës së parë duke mësuar. Edhe për kaq, basketbollisti me numrin 1 në fanelë po tregon potencialin e tij. Ai ka mesatarisht 19.6 pikë për ndeshje (në 27 minuta mesatarisht), 8 topa në tabela për ndeshje, ka përqindje shumë të mirë në gjuajtje (gati 55 për 2 pikë dhe gati 45 për tre), ndërsa i mbetet të përmirësojë vetëm asistet.
Në të kundërt, Antetokumbo është veteran në NBA nëse krahasohet me Uilliamsonin, pasi po luan sezonin e 7-të. Në 7 vjet ai ka thuajse mesataren e Zionit, 19.8 pikë për ndeshje (këtë sezon 30.1), ka thuajse të njëjtin nivel në tabela, por është më mirë në asiste.
Sfidanti.al