Armand Duka nuk e realizoi dot ambicien e tij këtë herë. Njeriu që hyri në majë të gishtave në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) në vitin 2002, provoi sërish një “herë të parë”, veçse kësaj radhe me përfundim të hidhur. Për vetëm një pozicion apo për 9 vota nuk ia doli të zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Kongresin e mbajtur në Helsinki. Spektakli në sallën e shkëlqyer finlandeze ishte tepër i madh për presidentin shqiptar, i cili duket e ndjeu jo pak këtë disfatë.
Pavarësisht telefonatave dhe mesazheve, numri 1 i FSHF-së, nuk pati dëshirën për të folur, diçka jo e zakonshme për një njeri të fortë dhe të rrahur “me vaj e me uthull” si ai. i dogji diferenca me 9 vota dhe fakti se nuk mundi të vazhdonte “marshimin triumfal”, aq sa ishte krijuar bindja se Duka nuk hyn kurrë në një garë kur nuk e ka të sigurt fitoren.
Gjithsesi, ndryshe nga (disa herë) titulli në Superligën shqiptare, një post në organet më të larta të UEFA-s nuk është aq i lehtë për t’u arritur. Jo më kot, përpara shqiptarit dolën përfaqësues të vendeve të mëdha të futbollit, si Gjermania, Italia, Holanda, Bonjek i Polonisë, përfaqësuesi i Turqisë ambicioze dhe një kandidat nga vendi i ish-presidentit Johanson, Suedia.
Me gjasë, Duka duhet t’i ketë bërë të gjitha llogaritë. Beteja në Helsinki ka qenë njëkohësisht betejë për të ardhmen. Me Kosovën në krah, dhe me përkrahje (besohet nga Gjermania e Italia), presidenti shqiptar nuk është çudi që të hyjë në konkurrim pas 4 vitesh, ndërsa besohet se do të mbetet në krye të FSHF-së.
Ata që janë marrë me politikën e dinë se Edi Rama mori vetëm “pako vota” kur kandidoi për herë të parë për kryetar të Partisë Socialiste, veçse ai kandidim kishte qenë vetëm ngritja e siparit për atë që do të ndodhte më vonë. Ndoshta, ky është edhe plani i Dukës, që pas miqësisë me Mishel Platininë duket se po krijon lidhje edhe me presidentin e ri të UEFA-s, Çeferin.
B.Kuka