Sezoni i Formula 1 është futur në fazën më të nxehtë, ndërsa gara për titullin botëror mbetet plotësisht e hapur. Pas triumfit në “United States Grand Prix” në Austin, Max Verstappen është rikthyer fuqishëm në garë, duke sfiduar dyshën e McLaren, Oscar Piastri dhe Lando Norris, që kryesojnë renditjen aktuale të kampionatit. Sipas analizës së “La Gazzetta dello Sport”, me pesë gara të mbetura dhe 141 pikë ende në lojë, çdo garë e ardhshme mund të vendosë fatin e sezonit. Verstappen, i cili fitoi si Sprintin ashtu edhe garën kryesore në Austin, ka rihapur garën për titull, duke deklaruar se “shanset janë 50 me 50” për të. Nga ana tjetër, Oscar Piastri mbetet lider i klasifikimit dhe pretendent kryesor për kurorën, ndërsa Lando Norris po lufton për stabilitet në garat vendimtare, pasi McLaren ka hasur disa vështirësi në javët e fundit. Kalendari i garave të fundit pritet të jetë vendimtar: Meksiko, Brazili, Las Vegas, Katar dhe Abu Dhabi do të përcaktojnë kampionin e ri të botës. Ekspertët vlerësojnë se pistat e Amerikës Latine mund t’i favorizojnë McLaren-ët, ndërsa ato me shpejtësi të lartë, si Las Vegas, mund t’i përshtaten më shumë Red Bull-it të Verstappen. Në këtë fundsezoni dramatik, Formula 1 ofron një nga duelet më të pasigurt të viteve të fundit, ku çdo pikë do të ketë peshën e një titulli botëror.
sfidanti.al