Dinamo do të presë Vorën të mërkurën në orën 16.00 në stadiumin Air Albania në Tiranë, për javën e parafundit të sezonit të rregullt. Blutë mund të sigurojnë matematikisht hyrjen në Final Four që do të luftojë për titullin, ose mund të jenë praktikisht me një këmbë atje, në varësi edhe të rezultatit të Partizanit, që luan në të njëjtën orë në Rrogozhinë, kundër Egnatias.
Aktualisht, tri pikë ndajnë blutë me të kuqtë dhe në rast se distanca rritet, Dinamo është matematikisht në katërshe. Nëse diferenca mbetet tri pikë, atëherë në javën e fundit, në përballjen direkt me Partizanin, Dinamos do t’i mjaftonte edhe humbja me dy gola diferencë, pasi në një rast të tillë do të barazoheshin me rezultatet direkt, por blutë kanë golaverazh të përgjithshëm më të mirë.
Skuadrës së Ilir Dajës i intereson të mbyllë sa më shpejt çështjen e katërshes finale, pasi të mërkurën tjetër, në 13 maj, do të ketë finalen e Kupës së Shqipërisë, kundër Egnatias.

