“Çmenduria” e Klopit, shumë e fortë për Sitin, Super Liverpul!

U desh një “blic” në 45 minuta, por edhe një paraqitje shumë e fortë në prapavijë pas pushimit që të arrihej një sukses kaq i madh. Liverpuli mori fitoren më të merituar dhe që më shumë bëri përshtypje në çerekfinalet e para të Championsit. Me gjithë respektin për Realin, Bajernin apo Barcelonën, është tjetër gjë që një ekip të fitojë 3-0 një derbi të Anglisë, madje ndaj skuadrës më të fortë në vend si Mançester Siti, aq më tepër duke mos pasur potencialin si ajo.

Liverpuli pati gjithsesi një “katalizator” të jashtëzakonshëm si Jurgen Klop, me trajnerin gjerman që e ngriti “çmendurinë” e tij në një nivel të papërballueshëm nga Siti i Guardiolës. Loja e bukur dhe me qarkullim topi nuk përballoi dot sulmin pa kompromis, shprehimisht “hedhje në fyt” ndaj kundërshtarit ku Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Okslejd-Çembërlen konkretizuan epërsinë e vendasve.

“Ju duhet të krijoni historinë tuaj”, – i sfidoi Klopi lojtarët e tij, ndërsa gjithë bota po fliste për historinë e madhe të Liverpulit. Ishte meritë e tij që guxoi të luante me lojtarë jo të standardit të ofruar nga Siti, si Karius, Aleksandër-Arnold apo Robertson, pa harruar zëvendësuesit Moreno, Vajnaldum apo Solanke.

Guardiola kishte një formacion të mbushur me yje, ku mungonte vetëm Aguero, dhe një stol po ashtu që ka kushtuar dhjetëra e dhjetëra milionë euro. Asgjë nuk bëri punë, dhe nuk u përsërit ndeshja e çmendur e Premier Ligës ku Livepuli kryesoi 4-0, por përfundimisht mezi fitoi 4-3. Këtë herë “muri i kuq” nuk u shemb dhe 54 000 tifozët u larguan të lumtur nga “Anfildi”, sepse asistuan në një tjetër mbrëmje të madhe europiane, dhe me shpresë se një epokë e re suksesesh po hapet për ekipin e tyre.

Sfidanti.al