Jo mbrëmja e Mesit, por e Barçës, gjysmëfinalet afër!

Kur fiton 4-1 thuajse e ke siguruar atë që ke dashur. Barcelona është shumë pranë gjysmëfinaleve të Championsit pas suksesit të thellë ndaj Romës në “Kamp Nou”, edhe pse loja nuk i përgjigjet 100 për qind shifrave në tabelën elektronike të stadiumit. Me një Mesi jo në 100 për qind të formës, ashtu si dhe Buskets e Iniesta, me Pikenë disi në krizë dhe Ymtitinë që po vihet në dyshim për aftësitë e tij, nuk qe e lehtë për skuadrën e trajnerit Valverde që t’ia dilte.

Roma luftoi shumë, u përpoq të shfrytëzonte çdo dobësi të katalanasve, që në fund dolën tepër të fortë për t’u përballuar nga një ekip pa përvojë. Nuk ishte mbrëmja e Mesit që nuk shënoi dot asnjë gol, por ishte mbrëmja e Barcelonës që mori rezultatin që deshi.

De Rosi e Manolas i shënuan vetë golat për vendasit, me dy autogola, pastaj Pike shfrytëzoi një gabim të portierit mik, Alison, ndërsa Luis Suarez përfundoi bukur një aksion 3 minuta para fundit, vetëm pak minuta pasi Edin Xheko kishte shkurtuar diferencën në 1-3.

Kjo Barcelonë të ngjan me një “usta” të vjetër, që nuk ka dëshirë të lodhet shumë, por që i di shumë mirë hilet e zanatit dhe sërish të mund. Katalanasit shpesh u dukën krejt “tokësorë” apo edhe më pak se kaq, duke kthyer topin pa shumë skrupuj tek portieri i tyre, Ter Shtegen, aq sa “Kamp Nou” arriti deri të vërshëllente.

Sidoqoftë, nuk mund t’i heqësh vërejtje një skuadre që ka kaq shumë lojtarë me probleme, që është në krye të La Ligës madje me shkëputje, në finale të Kupës së Mbretit dhe thuajse në gjysmëfinale të Championsit. Nuk mund t’i hiqen vërejtje një ekipi që ka zero humbje në La Liga dhe 0 humbje në Champions, me disfatat e vetme në Kupën e Mbretit (ndaj Espanjolit) dhe në Superkupën e Spanjës (dy herë ndaj Realit). Madje, edhe me Realin, bilancin e ka barabar, pasi e mundi 3-2 në verë në SHBA, dhe 3-0 në “Bernabeu” në ndeshjen e kampionatit.

Sfidanti.al