Çfarë e pengon kthimin e Ronaldos tek Mançester Junajtidi?!

Ka shumë arsye që ky operacion të mund të realizohet, dhe nuk do të ishte çudi që të ndodhte. Një kthim i Kristiano Ronaldos tek Mançester Junajtidi mund të ishte gjëja më normale në botë, ndërsa ylli portugez nuk mund ta harrojë “dashurinë e tij të parë” jashtë Portugalisë. Mediat po shkruajnë se CR7 po e mendon këtë gjë, dhe i pëlqen, edhe trajneri i Junajtidit, Solskjer nuk është kundër, ndërsa tifozët ndoshta do të donin të shihnin sërish një legjendë të epokës së Sër Aleks Fergusonit. Numri 7 është mërzitur tek Juventusi, diçka që e ka shprehur hapur, tepër i zemëruar që nuk po fiton dot Championsin, madje këtë vit po humb edhe titullin në Serinë A. Me gjasë, mund të ketë vetëm dy probleme për kthimin në “Old Traford”. Së pari, mosha 36-vjeçare mund të mos jetë ajo e duhura për të përballuar një kampionat kaq të vështirë sa ai anglez. Së dyti, varet nga pretendimet e rrogës, pasi Junajtidi nuk është nga ata që shpenzojnë 30 milionë euro në sezon për një lojtar, cilido qoftë ky. Strukturat e pagave duhet të ruhen, madje këtë bëri edhe Reali i Madridit.

Sfidanti.al