Brazili “likujdon” Perunë, Nejmar: Në finalen dua Argjentinën, por fitojmë ne!

Mëkat që atmosfera është krejt tjetër në krahasim me Europianin. Një gjysmëfinale e nivelit të lartë u luajt në Kupën e Amerikës në stadiumin Olimpik të Rio de Zhaneiros, por aty ishin vetëm futbollistët e trajnerët që duartrokitën spektaklin e tyre. Brazili vendas siguroi finalen pas fitores minimale, 1-0 ndaj Perusë, ndërsa rivalin do ta mësojë pas gjysmëfinales tjetër, mes Argjentinës e Kolumbisë.

Kampionët në fuqi të kontinentit patën epërsi dërrmuese në pjesën e parë, në të cilën mund të kishin shënuar të paktën 3 apo 4 gola. Me lojtarë të tillë si Nejmar, Kasemiro, Markinjos, Tiago Silva, Risharlison apo Ederson, nuk mund të ndodhte ndryshe. Trajneri Tite pati luksin të mbante në stol Alisonin, Firminon apo Aleks Sandron, ndërsa të aktivizonte gjatë lojës Militaon, Fabinjon apo Vinisiusin. Gjithsesi pati vetëm një gol, shënuar nga ish-lojtari i Milanit, Lukas Paketa, pas një shërbimi të shkëlqyer të Nejmarit.

“Dua që në finale të luajmë ndaj Argjentinës, – tha Nejmari më pas, – unë do t’i mbështesë sepse kam miq në atë ekip. Gjithsesi, në finale do të fitojë Brazili”.

Megjithatë, pavarësisht epërsisë cilësore të brazilianëve, pas pushimit rolet u ndryshuan, dhe Peruja sulmoi vazhdimisht. Edhe pse nuk pati rastet e pastra të vendasve, sërish ajo mund të kishte barazuar. Trajneri brazilian Tite barazoi Zagallon me 12 ndeshje radhazi pa humbje në këtë konkurrim.

“Nuk ishte e lehtë pasi Peruja nuk u dorëzua deri në fund, – tha tekniku, – gjithsesi, mendoj se e merituam. Jam i lumtur për tifozët ndonëse ata nuk patën mundësi të ishin në stadium. Nuk kemi kohë për të festuar fitoren, por duhet të mendojmë vetëm për finalen”.

Ja edhe gazetat. “A Tarde”: Brazili mund Perunë dhe është në finalen e Kupës së Amerikës! Paketa shënoi golin që zgjidhi ndeshjen! “Tribuna da Bahia”: Brazili do të luajë për titullin e Kupës së Amerikës! Selesao eleminoi Perunë 1-0 dhe pret fituesin e duelit mes Argjentinës e Kolumbisë! “Korreio do Povo”: Brazili kalon Perunë 1-0 dhe siguron vendin në finale! Kombinimi i Nejmarit me Paketën na dha fitoren për finalen e kompeticionit të shtunën! Brazili është 5 herë fitues i Kupës së Amerikës në 9 edicionet e fundit.

Sfidanti.al