Pavarësisht çmimeve shumë të larta të ndeshjes Shqipëri-Poloni, tifozët kanë sakrifikuar dhe brenda pak ditësh, biletat e ndeshjes së datës 10 kanë “avulluar”. Ndryshe nga çmimet modeste që federatat e grupit tonë eleminator vendosin për sfidat kur luan kombëtarja e tyre, në Shqipëri si zakonisht ndodhi e kundërta duke vlerësuar edhe rëndësinë që ka kjo sfidë e në këtë mënyrë, FSHF krenohet me këtë fakt pasi zyrtarizon edhe mbushjen e stadiumit me këtë deklaratë:
“Të gjitha biletat e vlefshme për ndeshjen Shqipëri – Poloni, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’ janë shitur.
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të falënderojë të gjithë tifozët shqiptarë që kanë vendosur të jenë të pranishëm në stadiumin ‘Air Albania’ më 10 shtator, në mbështetje të ekipit tonë kombëtar dhe i fton të krijojnë një atmosferë të ngrohtë, pozitive dhe të tregojnë respekt ndaj ekipit kundërshtar.
Njëkohësisht, Federata e Futbollit i bën thirrje edhe tifozëve kuqezi, të cilët nuk kanë mundur të pajisen me bileta për këtë ndeshje kaq të rëndësishme për të gjithë, të vazhdojnë ta përkrahin Kombëtaren e zemrës së tyre.
Të mbështesim kuqezinjtë tanë të gjithë se bashku! ME JU, NE JEMI 12!”