Çudirat e futbollit shqiptar nuk kanë fund. Kukësi shkarkon Hallaçin, Stavri Nica i zë vendin

Pas Stavri Nicës të pushuar nga Laçi një javë më parë, është radha e Rahman Hallaçit, ish-kapitenit dhe trajnerit të Kukësit që largohet nga posti drejtues.

Edhe pse me një skuadër tërësisht të re dhe lojtarë që kanë ardhur në Kukës pas shumë muajve pa aktivitet, Rahmani tentoi të ndërtonte një skuadër që të mbante lart nderin e qytetit por nuk ia doli mbanë dhe tashmë pas 180 minutave ai e shikon veten të shkarkuar nëpërmjet një komunikate ku ironikisht e falënderon edhe pse thekson fillimisht që ai largohet për shkak të dy humbjeve të para.

Por pak orë pas largimit të Rahman Hallaçit nga stoli i Kukësit, klubi verilindor “hedh bombën” e dytë. Stavri Nica i shkarkuar një javë më parë nga Laçi, merr dejtimin e verilindorëve. Ndoshta ky është një rast unikal jo vetëm në Europë por edhe në gjithë botën ku në një kampionat me 10 skuadra, dy trajnerët e parë humbasin vendin e punës pas dy javëve.