Nuk mbahet mend të ketë ndodhur, të paktën në dekadat e fundit, që në prag të zgjedhjeve në ndonjë federate, apo organizmi sportiv, situata të mos jetë polarizuar aq shumë, saqë të krijohet përshtypja se po jetojmë pragun e ndonjë lufte civile. Tashmë është beteja për Komitetin Olimpik. Futbolli është pozicionuar kundër çdo lloj asambleje të KOKSH, madje shefi i FSHF-së duket sikur e ka kthyer në një përpjekje personale, pasi herë pas here publikon letra në emrin e tij, nga të cilat, në rastin më të mirë dallon tone të ashpra, ose janë të mbushura me fyerje. Ndërsa në letrën e djeshme ka kërkuar që Komiteti Olimpik të heqë dorë nga zhvillimi i asamblesë një javë përpara zgjedhjeve të përgjithëshme, si dhe mospranimin e kandidaturës së një deputeti të PS-së, i cili po rikandidon dhe kuptohet që duhet ta ketë me Fidel Yllin. Kështu që edhe një herë sporti konfirmohet si pre në kthetrat e politikës, ndërkohë që lëvizjet e të gjithë atyre që kanë interesa nuk janë asnjëherë të sinqerta, por në të kundërtën, bëhen me kujdes vetëm për përfitime personale.
Sot në rolin e akuzuesit, por edhe futbolli i Dukës e ka kërcyer shpesh majtas apo djathtas “vallen” politike, sipas interesave të liderit, duke u kthyer nga argëtim në militant mitingjesh. Ndërsa tani janë të gjithë në fushatë, nga FSHF dhe deri tek çfarë ka mbetur nga KOKSH. Në prag të zgjedhjeve të së djelës, përfaqësuesit e Lëvizjes Olimpike në Shqipëri i kanë hequr të drejtën e votës 23 federatave të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të futbollit, njëlloj si FSHF në asmblenë e fundit të saj, kur shpiku votues për vota të sigurta, ndërsa për zgjedhjet e ardhshme ka konceptuar një reform të re demografike në futboll, për t’u siguruar titullarëve të tanishëm një tjetër mandat. Pra kjo është arsyeja që zgjedhjet në komunitetin sportive janë gjithmonë të mbushura me fyerje të rënda publike dhe herë herë shoqërohen me dhunë, pasi asnjëherë nuk përfaqësojnë një garë për hir të zhvillimit të sportit, por interesa që duhet të jenë aq të mëdha, saqë ia vlen për të nxitur një luftë në kuptim klasik të fjalës.