Kenan Yildiz është kthyer në një nga emrat më të përfolur të futbollit evropian. Edhe pse merkatoja është mbyllur, Real Madrid vazhdon të planifikojë lëvizjet e ardhshme, dhe në listën e talenteve të rinj që pëlqehen nga klubi madrilen është pikërisht sulmuesi turk i Juventusit. Nën drejtimin e Florentino Pérez, “Los Blancos” kanë ndërtuar një skuadër fituese duke investuar në të rinj me potencial të madh si Vinícius Jr., Rodrygo dhe Bellingham. Në këtë filozofi përshtatet në mënyrë perfekte edhe Yildiz, një lojtar me teknikë të lartë, vizion loje dhe personalitet të madh në fushë.
Sipas mediave spanjolle, Real Madrid do të ndjekë nga afër Yildiz në ndeshjen e ardhshme të Champions League mes Juventusit dhe Real Madridit, që do të luhet në “Santiago Bernabéu”. Ky duel pritet të jetë një test i rëndësishëm për të vlerësuar nga afër cilësitë e sulmuesit turk. Në qendrën stërvitore të Valdebebasit, drejtuesit e klubit e konsiderojnë Yildiz si një profil ideal për të forcuar repartin ofensiv, veçanërisht nëse do të ketë ndonjë problem me rinovimin e kontratës së Vinícius Jr. Në rast largimi të brazilianit, Kenan Yildiz shihet si kandidati perfekt për të sjellë fantazi dhe shpërthim në krahët e sulmit madrilen.
sfidanti.al