Bejl, Morata, Isko, askush nuk dëshiron të ikë nga Reali

“Jo, faleminderit”! Kjo ka qenë përgjigja më e shpeshtë që kanë dëgjuar këto ditë klubet e interesuar për disa nga yjet e Realit. Me një skuadër që “po plas nga shëndeti”, trajneri Zidan mund të bëjë disa “skarcime” në verë, veçse askush nuk i përgjigjet në apel. Garet Bejl, pasi mori vesh interesimin e madh të Mançester Junajtidit, pati vetëm fjalë për atë që po provon. “Unë jam i lumtur këtu në Madrid, – tha uellsiani, – ne po fitojmë trofe, dhe unë jam i lumtur. Kam një kontratë afatgjatë me Realin dhe familja ime është ambientuar siç duhet”.

Zidan nuk deshi të jepte sigurime nëse Bejl qendron apo largohet. “Jam i lumtur që arriti të luante sado pak në finale, pasi për të ishte e rëndësishme, – tha francezi, – e ardhmja e secilit do të shikohet gjatë verës”.

Isko është lojtari tjetër që është diskutuar shumë, pasi edhe është kritikuar më parë nga Zidani. Kohët e fundit, organizatori po luan vazhdimisht dhe gjendja ka ndryshuar. “Shpresoj të rinovoj shpejt kontratën, pasi nuk ka vend më të mirë për të luajtur futboll sesa në Madrid”, – tha 25-vjeçari. Ai pritet të firmosë për 5 vjet, ndërsa e duan Mançester Siti, Liverpuli dhe Juventusi. Morata, është po në këtë linjë. “Unë nuk kam asnjë marrëveshje me Milanin, – tha sulmuesi i Spanjës, – dëshira ime është që të vazhdoj këtu ku jam”. Kjo, edhe pse Alvaro ka luajtur me një minutazh të vogël këtë edicion, ndonëse ka shënuar mjaft gola. Për lojtarin e Akademisë interesohet Mançester Junajtid.

Sfidanti.al