Barazimi i çmendur 3-3 nuk i bëri punë as Kamerunit, dhe as Serbisë!

Mund ta meritojë epitetin “e çmendur”. Në ndeshjen më të pazakonshme dhe spektakolare të Kupës së Botës, Kameruni dhe Serbia barazuan 3-3, një rezultat që kënaqi publikun në të gjithë rruzullin, por aspak dy ekipet. Në grupin e vështirë G, këto skuadra kanë nga vetëm 1 pikë, krejt ndryshe nga Brazili dhe Zvicra. Afrikanët kaluan shpejt në epërsi, por ballkanasit i përmbysën në fundin e pjesës së parë, dhe nën frymëzimin e avantazhit thelluan shifrat shumë shpejt pas pushimit. Pavloviç, Sergej Milinkoviç-Saviç dhe Mitroviç shënuan tri herë në vetëm 10 minuta në momentin më të mirë për serbët në këtë Botëror.

Gjithsesi, çmenduria nuk kishte përfunduar në minutën e 53-të, madje ajo do të vazhdonte pa u ndalur. Kamerunasit e trajnerit Song besuan deri në fund, si dhe shfrytëzuan gabimet e kundërshtarit dhe arritën barazimin 3-3 në mënyrë të rrufeshme. Edhe golat e shënuar nga Abubakar dhe Çupo Moting u realizuan në vetëm 3 minuta distancë kohore. Sulmuesi i Bajernit e tregoi veten përcaktues edhe në ekipin përfaqësues. Gjithsesi, barazimi nuk kënaqi askënd, ndërsa mediat serbe patën kritika për trajnerin Dragan Stojkoviç që nuk aktivizoi sulmuesit e rëndësishëm Dushan Vlahoviç apo Joviç.

Sfidanti.al