Ishte një ndeshje eksperimentesh, që ia zbehu ngjyrat klasike. Një Angli dhe një Itali janë të detyruara të hedhin në fushë “repartet e dyta” edhe kur luajnë një derbi të tillë europian, sepse kjo ndeshje e Ligës së Kombeve erdhi në fund të një sezoni rraskapitësh, dhe jo shumë larg nga finalet e Kupës së Botës. Nuk pati habi, pra, që përfundoi 0-0 përballja në ishull, e që nuk u luajt në “Uembli” si fjnalja e vjetshme e Europianit, por në stadiumin “Molino” të Uolverhemptonit. Tribunat ishin thuajse të zbrazur, diçka e pakonceptueshme kur një qyteti të tillë i vjen për vizitë kombëtarja, por i tillë ishte dënimi i dhënë nga UEFA. Vetëm nja 1 000 fëmijë e mbushën impiantin me thirrje të gëzueshme.
Anglia pati epërsi në zotërimin e topit, por jo më shumë se kaq, edhe pse provoi të gjuante disa herë drejt portës italiane. Përkundrazi, heroi për “luanët” ishte portieri i Arsenalit, Ramsdejl, që bëri disa pritje shpëtuese, ndërsa futbollistët e “madhërisë së saj” u dukën të shtrydhur e sikur mezi po prisnin që arbitri të vërshëllente përfundimin. Gjithsesi, ata duhet ta dinë se Anglia rrezikon të bjerë në nivelin B të Ligës së Kombeve nëse vazhdon me një ritëm të tillë.
Angli-Itali 0-0
Anglia (4-2-1-3): Ramsdejl, Xhejms, Megajer, Tomori (Guehi 88’), Tripier, Uord-Praus, Rajs (Filips 66’), Maunt (Bouen 66’), Stërling (Saka 79’), Abraham (Kejn 65’), Grilish.
Italia (4-3-3): Donaruma, Di Lorencos, Gati, Açerbi, Dimarko (Florenci 87’), Fratezi, Lokateli (Njonto 64’), Tonali, Pesina (Kristante 87’), Skamaka (Raspadori 77’), Pelegrini (Espozito 64’).
Sfidanti.al