Nëse ky lojtar nuk është në fushë, duket se nuk ka shpresë. U desh që trajneri Didie Deshamp të aktivizonte Kilian Mbapenë që Franca të shpëtonte nga humbja në Austri. Ylli i Paris SG shënoi një gol tipik në stadiumin “Ernst Hapel” të Vjenës, por nëse kampionët e botës shmangën disfatën, shëmtia e tyre nuk mund të fshihej. Kjo ishte ndeshja e tretë radhazi pa fitore në këtë edicion të Ligës së Kombeve, pas atyre ndaj Danimarkës e Francës dhe mediat në Paris nuk u kursyen.
“Kemi Moxartin që ata e duartrokasin, – shkruan “L’Ekip” me foton e Mbapesë në momentin e golit, – Mbape shpëton Francën nga humbja në Vjenë!” “Franca humbet fillin, por jo ndeshjen, – komenton “Lë Mondë”, – kombëtarja mbyll ndeshjen e 3-të pa fitore, shpëton falë Mbapesë!” Trajneri Didie Deshamp, i vendosur me shpatulla pas murit, pranon realitetin.
“Ne nuk ishim vetvetja, – tha ai, – ne nuk fituam, por do të përpiqemi të fitojmë të hënën. Nuk duhet të kalojmë në panik, thjesht duhet të reagojmë dhe të përmirësohemi. Ne patëm shumë raste pas pushimit, e kontrolluam ndeshjen, por nuk ia dolëm. Nuk janë rezultatet që prisnim dhe nuk jemi në formën tonë më të mirë”.
Franca, kampione e botës në fuqi, shkon drejt Botërorit të Katarit pa bindur askënd. Fituesit në fuqi të Ligës së Kombeve, humbën ndeshjen e parë të këtij edicioni, 1-2 ndaj Danimarkës në Paris, dhe nuk mundën të shkonin më larg se barazimi 1-1 në Split ndaj Kroacisë. Me vetëm 2 pikë, “gjelat” janë në vend të fundit në një grup ku Danimarka ka 6 pikë dhe Kroacia 4.
Sfidanti.al