Ikin 11 e vijnë 5, ndaj Estonisë do të luajë “miqësisht” … Shqipëria B!

Sfidat serioze përfunduan dhe nuk na kënaqën, ndërsa mbetet një përgatitore. Kombëtarja shqiptare do të ketë edhe një ndeshje tjetër tani në qershor, pikërisht të hënën ndaj Estonisë në “Arenën Air Albania”, por kundër baltikëve do të luajnë vetëm ata që kanë mbetur nga grumbullimi i deritanishëm. Trajneri Reja u ka dhënë leje plot 11 lojtarëve për t’u larguar dhe për të nisur pushimet e verës, ndërsa shpejt ata do të kthehen me ekipet e klubeve. Ikin portieri Etrit Berisha, mbrojtësit Balliu, Gjimshiti, Ismajli, Kumbulla e Dermaku, mesfushorët Gjasula, Bajrami dhe Asllani si dhe sulmuesit Cikalleshi e Balaj. Në ekip janë ftuar 5 lojtarë të rinj që kanë qenë pjesë e Shpresave të trajnerit Alban Bushi. Këta janë Arbnor Muçolli që luan në Danimarkë, Mersinaj e Çokaj nga Kroacia, portieri Simoni i Dinamos dhe mbrojtësi Kevin Haveri nga Rimin në Itali. Kombëtarja luan në 11 qershor ndaj Estonisë, ndërsa barazoi në Islandë 1-1 për Ligën e Kombeve dhe humbi në Tiranë me Izraelin 1-2 për të njëjtin konkurrim.

Sfidanti.al