Bajerni tregoi se Granit Xhaka është favorit si kapiten i Arsenalit

Një ndeshje vere e fituar, qoftë edhe ndaj një rivali të madh si Bajerni, nuk është ndonjë tregues shumë shpresëdhënës për sezonin që vjen. Gjithsesi, suksesi 2-1 i Arsenalit ndaj bavarezëve në Los Anxhelos ishte pozitiv në disa aspekte dhe duhet t’i ketë “ngrohur” tifozët londinezë. Një nga çështjet kryesore mbetej ajo e shiritit, pas largimit demonstrativ të Loren Koshielnit, po ashtu të Aron Ramsejt. Njeriu që nisi si kapiten, Granit Xhaka, tregoi se mund ta mbante me nder përgjegjësinë dhe gazetat angleze thesojnë se shqiptari i Zvicrës mund të quhet favorit në këtë rol për sezonin e ri.

Dy skuadrat luajtën pak a shumë me formacione të forta, dhe trajneri i “topçinjve”, Unai Emeri, u kënaq nga sulmi, me Obamejangun e Lakazetin në formë të mirë, dhe me Mesut Ozilin që tregoi dëshirë, vullnet dhe padyshim klas. i vetmi problem i gjermanit me origjinë turke ishte humbja e dy rasteve të pastër. Shqetësim mbetet mbrojtja, ku Belerin është i dëmtuar, por sipas mediave pritet të vijë mbrojtësi i majtë Kieran Tiernej, si dhe një qendërmbrojtës i ri.

Sfidanti.al