Barcelona dhe De Ligti, arsyet e divorcit të “dekadës”!

Nuk është se nuk e pëlqente, por jo që të bënte çmenduri për të. Matijs De Ligt është tashmë zyrtarisht lojtar i Juventusit, ndërsa një tjetër klub mendohej se ishte favorit për ta marrë. Barcelona e presidentit Bartomeu dhe e trajnerit Valverde me shumë gjasë ishte në “pole position”, sidomos përderisa bëhej fjalë për një holandez. Çfarë ndodhi, pra, që prishi ëndrrën e tifozëve katalanas, dhe realizoi atë të juventinëve?

Si gjithnjë, kryesore mbeten paratë. Barça shpenzoi shumë për marrjen e lojtarëve të tjerë, mes të cilëve Frenki De Jong nga Ajaksi dhe Antuan Grizman nga Atletiko e Madridit. Jo vetëm kaq, por në “Kamp Nou” e kishin një mendim se mund ta merrnin Nejmarin, edhe pse së fundmi kjo mundësi po bëhet gjithnjë e më e paktë. Kartoni i brazilianit është shumë i shtrenjtë dhe as nuk mund të mendohej për De Ligtin.

Për më tepër, qendërmbrojtësi nuk cilësohej si përparësi, pavarësisht talentit që nuk mohohej. Edhe pse kapiten, De Ligti është 19 vjeç dhe tek Barcelona mendojnë se ka ende gjëra për të përmirësuar në lojën e tij. Skuadra “blaugrana” ka në qendër të mbrojtjes katër lojtarë, Pikenë, Lenglenë, Ymtitinë dhe Todibo, pra mund të ndihet e qetë.

Një rol jo të vogël luajtën pretendimet e yllit të Holandës për rrogën. De Ligt pretendonte 12 milionë euro në sezon, aq sa i premtoi Juventusi, por Barça ka një hierarki rrogash që nuk pranon këtë shumë, sidomos për një 19-vjeçar. Së fundmi, jo pak punë prishi agjenti i lojtarit, Mino Raiola, i cili kërkonte një komision tepër të lartë si ndërmjetës, ndërsa në “Kamp Nou” nuk duan të japin mbi 5 për qind.

Italianët kanë pasur disa avantazhe, pasi siç e tregon kjo foto, De Ligti e ka dashur Juven, pasi ka veshur fanelën e saj në moshë të vogël. Në 2018, ai fitoi çmimin “Djaloshi i Artë”, trofe që u dha në Torino, ku pati edhe kontaktet e para me kampionët e Italisë. Kështu përfundoi një telenovelë e verës, dhe Juventusi u forcua me një futbollist vërtet shumë të mirë.

Sfidanti.al