Është ende i ri, dhe dëshiron të provojë diçka tjetër. Elseid Hysaj, futbollist i Napolit dhe i kombëtares shqiptare, pritet të largohet këtë verë ose këtë vjeshtë, dhe të bashkohet me Romën. Mediat italiane njoftojnë se ekzistojnë të gjithë elementët e duhur që kjo të ndodhë. Kontrata e mbrojtësit të djathë përfundon në 2021, pra napolitanët janë të detyruar të pranojnë largimin, për të mos e humbur me kosto zero vitin e ardhshëm.
Vetë Hysaj ka kaluar një sezon të vështirë, sidomos nën drejtimin e ish-trajnerit Karlo Ançeloti, ndonëse ka fituar shumë më tepër minutazh me teknikun tjetër, Xhenaro Gatuzo, që ka besim dhe e cilëson pjesë të skemave të tij. Gjithsesi, në moshën 26-vjeçare Hysaj duket se pëlqen të mos vazhdojë në “San Paolo” ku ka kaluar 5 sezone.
Ai u mor nga Mauricio Sarri, me të cilin ishte edhe tek Empoli, por pas largimit të ish-trajnerit gjërat ndryshuan. Pritet që të ketë një shkëmbim mes Napolit dhe Romës. Trajneri i romanëve, Fonseka, duket se është dakord që Hysaj të bashkohet me kryeqytetasit. Ai mund të japë dy lojtarë si pjesë e një transferimi, dhe këta janë sulmuesi turk Xhengiz Ynder, si dhe mbrojtësi holandez, Rik Karsdorp.
Sfidanti.al