Ndoshta do të kishte dashur të kishte vazhduar edhe më tej, por mesa duket nuk do të jetë e mundur. Një karrierë e gjatë, e stërgjatë, është në hapat e fundit për Klaudio Pizarron, pasi në moshën 41-vjeçare për të nuk ka më oferta. Në fakt, Bajerni i ka ofruar një rol ambasadori, pasi peruviani ishte një lojtar i rëndësishëm për bavarezët. Jo më kot luajti 330 ndeshje në Mynih e shënoi 125 gola.
Po Verderi? Klubi i dytë më i rëndësishëm në karrierën e tij nuk i ka bërë asnjë ofertë. Këtë sezon, Pizarro ka luajtur 15 ndeshje në Bundesligë, ndërsa koronavirusi ka ndërprerë gjithçka, edhe planet për një ndeshje të mundshme lamtumire. Keqardhja më e madhe për sulmuesin peruvian do të mbetet që nuk e arriti kuotën 200 gola në Bundesligë, pasi ai është ndalur në 197. Në total, për klubet (Deportivo Peskero, Alianza Lima, Verder, Bajern, Çelsi, Këln) Pizarro luajti gati 800 ndeshje dhe shënoi 316 gola. Për Perunë e tij pati 85 paraqitje dhe realizoi 20 herë. Me Bajernin fitoi gjithçka, Bundesligën (6 herë), Championsin, Kupën e Gjermanisë (5), Superkupën e Gjermanisë, Superkupën e Europës, Kupën Ndërkombëtare për klubet dhe Kupën e Botës për Klubet. Në Peru fitoi titullin me Aliancën, me Verderin fitoi Kupën, gjithsej 18 trofe.
Sfidanti.al