Arteta apo Vieira? Jo, Arsenali zgjedh eksperiencën Unai Emeri

Ai është mik me Guardiolën, por nuk ia var shumë Murinjos. Një fjali sa për prezantim për Unai Emerin i cili u largua nga “ferri” i Paris SG për të gjetur “parajsën” e Arsenalit. Nëse ka ndonjë klub në botë ku mund të punosh i qetë, ai është në “Emirejts” dhe ky klub ka zgjedhur Emerin si pasardhës të Arsen Vengerit.

Ish-drejtuesi i Seviljes do të ketë një detyrë të vështirë, të pasojë një trajner që punoi mbi dy dekada dhe që arriti suksese të mëdha, por për fatin e tij, jo edhe aq vitet e fundit.

Gjithsesi, zgjedhja e “topçinjve” duket pak e çuditshme, pasi fillimisht u fol me Mikel Artetën, ish-lojtar i tyre dhe zëvendës i Guardiolës tek Siti. Po ashtu, pati kontakte me Patrik Vieiranë, ish-lider i Arsenalit “të Pathyeshëm”, veçse nga këto nuk doli asgjë. Habia ishte se Arteta u duk zgjedhje përfundimtare, ndërsa për mënyrën sesi u sollën me Vieiranë, drejtuesit e Arsenalit morën kritika të forta nga ish-ylli Jan Rajt.

Unai Emeri fitoi 3 Liga të Europës radhazi me Seviljen në vitet 2013-2016, doli tri herë radhazi në vend të tretë në La Liga me Seviljen (2008-2013), ndërsa këtë vit fitoi gjithçka në Francë me Paris SG, titullin, Kupën, Kupën e Ligës, dhe më herët Superkupën.

Sfidanti.al