AS miliardat e Abramoviçit nuk blejnë dot vizën britanike…

Presidenti dhe pronari i Çelsit, tajkuni (pasaniku) rus, Roman Abramoviç, nuk mundi që të ishte i pranishëm në ndeshjen finale të FA Kupës, të cilën klubi londinez në fjalë e bëri të veten, pasi mundi 1-0 Mançester Junajtidin, sepse atij nuk i dhanë vizë hyrjeje për në Britani! Media angleze bëri të ditur se viza e deritanishme i kishte skaduar Abramoviçit para tri javësh, por atij nuk i dhanë vizë të re, kështu që ai nuk mundi që të merrte pjesë bashkë me futbollistët e vet në festimin e trofueut të rëndësishëm më të vjetër në Angli. Dhe kujt nuk ia dhanë vizën, një miliarderi që pjesën me të madhe të kohës qëndron dhe punon në Britani.

“Zoti Abramoviç që ka një pasuri me vlerë prej 9,3 miliardë sterlinash, ndodhet në vendin e 13-të në Angli, por autoritetet përkatëse britanike nuk i dhanë atij vizë hyrjeje, pasi ajo e vjetra i kishte mbaruar, dhe, kështu, ai u detyrua që të kthehej në Rusi. Duket se arsyeja e mosdhënies atij (Abramoviçit) të vizës së re të hyrjes ka lidhje me tensionet e fundit mes Britanisë dhe Rusisë”, shkruan media angleze.

Abramoviçi e ka blerë Çelsin, në korrik 2003, por, asnjëherë, atij nuk i është dhënë leje qëndrimi në Angli, kështu që ai ka nevojë për vizë hyrjeje. Marrëdheniet mes Britanisë dhe Rusisë janë ngrirë në një shkallë të lartë, për shkak të helmimit, marsin e kaluar, të ish-spiunit me origjinë ruse, Sergei Skripal, që ka punuar në favor të zbulimit të fshehtë britanik.

Sfidanti.al