Milani  e kapi Europën, po Gatuzo do të ecë në këmbë 30 km!

Milani e mundi bindshëm 5-1 Fiorentinën, duke i siguruar vetes kualifikimin për në Ligën e Evropës dhe duke e detyruar trajnerin Xhenaro Gatuzo që ta mbajë premtimin e dhënë, se ai do të përshkonte në këmbë plot 30 kilometra, nëse “kuqezinjtë” do të kualifikoheshin për në Ligën e Evropës, sezonin e ardhshëm.

“Premtimet, prandaj edhe jepen, që të mbahen. Të martën ose të mërkurën, unë do të dal nga shtëpia dhe do të filloj të ec, ndërkohë që, mbas meje, do të vijë me ngadalë me makinë gruaja ime me shishet e ujit dhe të gjitha gjërat e tjera të nevojshme që të më ndodhet pranë, nëse ndodh ndonjë gjë e pazakontë. Sido që të jetë, unë do t’i përshkoj në këmbë 30 kilometrat, kështu që premtimin e dhënë unë do ta mbaj”, tha Gatuzo.

Disa mediume italianë e vlerësuan punën e tij gjatë sezonit me notën “7”, ndërkohë që vetë Gatuzo thotë se meritat u takojnë futbollistëve të tij. “Shtatë! Por unë as në shkollë nuk kam marr një notë të lartë të tillë, madje as në mësimin e fesë! Me të vërtetë, jam krenar për rezultatet, ndërkohë që ka pasur momente, kur gjërat ishin mjaft të vështira, por në skenë dilnin futbollistët dhe i zgjidhnin problemet. Prandaj, ata meritojnë që të lavdërohen më shumë se unë”, tha Xhenaro Gatuzo.

Sfidanti.al