Argjentina pretendon titullin, por a mund t’ia dalin Dibala dhe Lautaro?!

Sërish pati nga ata që hynë në fushë për ta takuar. As në Lindjen e Mesme nuk ishte ndryshe për Lionel Mesin, që pa e tepruar mund të thuhet se është në qendër të vëmendjes. Superylli 35-vjeçar, që pritet të luajë në Kupën e pestë dhe të fundit të Botës në karrierë, ua dha kënaqësinë tifozëve në miqësoren e fituar 5-0 nga Argjentina ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe. Kapiteni realizoi një gol tipik personal, shërbeu asistin për Hulian Alvarezin, dhe dhuroi spektakël. Tashmë, magjistari i Paris SG ka 91 rrjeta me kombëtaren, si dhe 50 asistë, e vazhdon të vendosë rekorde. Natyrisht, Mesi nuk ishte i vetmi që shkëlqeu, madje Angel Di Maria realizoi dy herë duke lënë të habitur Juventusin që e mendonte të dëmtuar pasi nuk kishte luajtur në Itali.

Argjentina cilësohet si favoritja numër dy e Kupës së Botës, por gjithsesi, trajneri Lionel Skaloni shkaktoi shqetësim kur tha se disa lojtarë janë në dyshim. Flitet për Dibalën, Lautaro Martinezin si dhe mbrojtësit Romero e Gonzales. “Ne kemi disa probleme, dhe na duhen ende disa ditë për të vendosur. Mund të bëjmë ndryshime në listë, shpresoj që jo, por kjo mundësi ekziston. Shumë lojtarë nuk luajtën këtë herë sepse nuk ishin gati apo rrezikonin të dëmtoheshin. Gjithsesi, jam i lumtur me ndeshjen dhe me fitoren. Futbollistët po japin maksimumin. Mesi, Di Maria dhe gjithë të tjerët. Jemi gati”.

Argjentina ndërkaq arriti 36 ndeshje radhazi pa humbje, një seri që ka nisur në 2019-ën dhe është vetëm 1 ndeshje larg rekordit botëror të të gjitha kohëve që mbahet nga Italia e Roberto Mançinit. Mesi me shokë mund ta thyejnë rekordin e Të Kaltërve në finalet e Botërorit.

Sfidanti.al