Argjentina i ka keq punët me treshen “Maradona-Ikardi-Mesi”!

Dy prej tyre janë futbollistë aktivë, ndërsa tjetri ka qenë më aktivi nga të gjithë, dhe vazhdon të mbetet i papërmbajtshëm edhe jashtë fushës së lojës. Ky veçse duket se është një problem i madh për Argjentinën. Mauro Ikardi është një çështje, me të cilën merret hapur Diego Armando Maradona dhe ndoshta “pas perdes” Lionel Mesi. Kapiteni i Interit u ftua më në fund në kombëtare nga trajneri Sampaoli, por gjërat në fushë nuk po shkojnë mirë dhe Argjentina rrezikon të mos shkojë fare në Botëror.

Sulmet ndaj Ikardit nuk kanë të mbaruar. Maradona fillimisht tha se “Ikardi nuk do të bëhet kurrë si Batistuta”, më pas komentoi se “pesë herë më të mirë sesa ai, janë dy sulmuesit e ligës argjentinase, (Dario) Benedeto e (Lukas) Alario”. Mesi nuk ka folur, por duket se edhe ai, edhe Diego, e kanë inatin me faktin që Ikardi u lidh me Uanda Narën, që u nda nga futbollisti tjetër, Maksi Lopez. Në një situatë të tillë “eksplozive”, edhe një magjistar si trajneri i kombëtares “albiseleste”, Sampaoli, do ta ketë të vështirë të arrijë sukses.

Sfidanti.al