Për Kris Frumin nisin krahasimet me legjendat, por Merksi është larg!

Kris Frum është padyshim njeriu i momentit. Çiklisti britanik fitoi edhe Vueltën e Spanjës, pas Turit të Francës, duke i mbetur vetëm Xhiro e Italisë, ndër garat më të mëdh atë këtij sporti në të gjithë botën. Gjashtë burra ia kanë dalë të fitojnë edhe Turin, edhe Xhiron, edhe Vueltën (Anketil, Merks, Xhimondi, Hino, Kontador, Nibali) edhe pse jo në të njëjtin vit. Ku mund të renditet Kris Frum mes legjendave të së kaluarës? Me 4 Ture, ai padyshim është fare pranë tyre, pasi rekordin e mbajnë Merks, Hino, Ankëtil dhe Indurain me nga 5 suksese finale. Frum ka mbajtur Fanelën e Verdhë për 59 etapa, vetëm 1 etapë larg Indurainit, edhe pse rekordmeni Edi Merks është larg. Pikërisht, te krahasimi me Merksin nis “çalimi”.

Merks fitoi 11 gara të mëdha (5 Tur, 5 Xhiro, 1 Vuelta), stërfitoi në Klasiket e Mëdha si Paris-Nisë (3 herë), Turin e Zvicrës (1), Milano-San Remos (7), Turi i Flandrës (2), Paris-Rube (3), Liezh-Bastonjë-Liezh (5), Xhiron e Lombardisë (2), Garën Ndërkombëtares Super Prestigjioze Pernod (7) dhe Kampionatin Botëror në rrugë (1). Asnjë çiklist tjetër as nuk mund të mendonte apo të mendojë t’i afrohet, ndaj edhe belgu ka fituar epitetin “Kanibali”.

Ai ka fituar 34 etapa të Turit (rekordmen), e ka mbajtur Fanelën e Verdhë për 96 etapa (rekordmen), ka fituar 3 herë renditjen me pikë (Fanela e Blertë) dhe 2 herë renditjen e malit. Në Xhiron e Italisë, belgu e ka mbajtur Fanelën Rozë për 77 etapa, një rekord me diferencë nga vendi i dytë i Alfredo Bindës (65). Askush tjetër në histori nuk e ka arritur këtë kombinim. Francezi i famshëm, Bernar Hino, shprehet: “Frum është më i madhi i brezit të tij, por më i madhi i të gjitha kohëve është Merksi”.

Sfidanti.al