“Një profesionist i vërtetë, i gatshëm të udhëheqë skuadrën në fushën e lojës”. Këto ishin fjalët e trajnerit të Anglisë, Garet Sauthgejt, ndërsa njoftonte kapitenin e ri të kombëtares, Harri Kejnin. Kapiteni i Totenhemit u preferua përpara atij të Liverpulit, Xhordan Henderson, edhe pse ky i fundit udhëhoqi ekipin drejt finales së Championsit.
Kejn, autor i 30 golave në Premier Ligë, kishte qenë edhe 6 herë më parë kapiten i ekipit përfaqësues, ndërsa tani do ta mbajë shiritin në Kupën e Botës në Rusi. “Përgëzime, Harri Kejn, nuk ka nder më të madh se ky”, – ishte urimi i bërë nga ish-sulmuesi i madh anglez, Alan Shirer. Vetë Kejn u shpreh se “çdo lojtar anglez e ka ëndërr të luajë me kombëtaren, ndërsa të jesh kapiten është edhe më shumë ëndërr dhe krenari”.
Sfidanti.al