Dortmundi vë bast për “heroin e heshtur”, Lysien Favre

Borusia e Dortmundit e gjeti më në fund trajnerin e ri. Pas largimit të “vullkanit” Jurgen Klop, të të “keqkuptuarit” Tomas Tuhel dhe të të zakonshmit tradicional gjerman Peter Shtëger, drejtuesit e klubit vendosën për një njeri që vlerësohet lart, por që kurrë nuk ka drejtuar një skuadër të madhe.

Lysien Favre nënshkroi kontratën 2-vjeçare me vlerë deri në 2020 dhe do të përpiqet të bëjë mrekullinë e radhës. Ai është cilësuar një “hero i heshtur”, një trajner që ka pasur sukses kudo ku ka punuar. Ehalensin e ngjiti një kategori më lart, Iverdonin po ashtu, me Servetin e Gjenevës fitoi Kupën e Zvicrës, ndërsa me Zyrihun fitoi Kupën por edhe dy tituj zviceranë.

Në 2006 e 2007 u zgjodh trajneri i vitit në Zvicër, në 2011 u zgjodh trajneri i vitit në Gjermani nga televizioni “Sport1”. Në 2012 u zgjodh sërish trajneri i vitit në Gjermani, këtë herë nga shoqata e lojtarëve, diçka që e përsëriti në 2015, në një sondazh të lojtarëve, bërë nga revista “Kiker”.

Në Gjermani punoi për Hertën e Borusian e Mynshengladbahut, ndërsa në Francë në 2017 shkëlqeu me Nisën duke e bërë pretendente për titull. Favre është sot 60 vjeç, ndërsa drejtori sportiv i Dortmundit, Markus Cork e vlerëson kështu: “Përkushtimi i Lysien Favres është pjesë e rëndësishme e fillimit tonë të ri sportiv këtë verë”.

Vetë Favre u shpreh se “është shumë tërheqëse të drejtosh BDB-në, më pëlqen shumë ta provoj njërin nga klubet më interesantë në Europë, po ashtu siç jam i lumtur që kthehem në Bundesligë”. Sezonin e ardhshëm, Dortmundi i Favres do të luajë në Champions.

Sfidanti.al