Masimiliano Alegri do të vazhdojë tek Juventusi, por ndryshimet gjithsesi do të jenë të shumta. Largimi i Bufonit është vetëm njëri prej tyre, me portën në dorë të Sheznit dhe me Perinin si konkurrent i tij. Në mbrojtje largohen Lihtshtajner, Asamoah, Hëvedes, ndërsa dëmtimi i Spinacolës bën që të mbahet me patjetër Aleks Sandro, gjithnjë nëse nuk do të ketë ndonjë ofertë 60 milionë euro e sipër.
Kështu gjykon “La Gazeta delo Sport”, që shkruan se pritet të vijnë dy lojtarë, mes të cilëve Darmian. Do të mbahen De Shilio, Rugani, Barxali e Kielini, ndërsa pritet të mësohet fati i Benatias. Ish-lojtari i Bajernit mund të shkojë tek Marseja ku ka shumë miqësi me trajnerin Rudi Garsia.
Në mesfushë vjen Emre Xhan me kosto zero, ndërsa titullarë janë Pjaniç apo Matyidi. Mbetet Betankur, por Kedira mund të shkojë në Angli, ndërsa Markizio mund të largohet pasi nuk ka marrëdhënie të mira me Alegrin. Trajneri dëshiron si përforcim Milinkoviç-Saviçin, por ky kushton shumë dhe do të duhet të fitohen shumë para nga largimet. Vetë buxheti juventin për blerjet është “vetëm” 50 milionë euro. Flitet se mund të zgjidhet Lorenco Pelegrini, që kushton 30 milionë.
Në sulm, edhe mund të ketë lëvizje, edhe jo. Dibala kërkohet nga shumë klube, dhe PSG mund të japë 120 milionë euro nëse largohet Nejmar. Në këtë rast, Juvja nuk e mban dot. Edhe Manxhukiç ka oferta në Europë dhe Kinë, ndërsa nuk përjashtohet që edhe Higuain të largohet nëse vjen ndonjë “shuk” i madh parash për të. Mbetet Dagllas Kosta, kthehet Marko Pjaca, dhe synohet Alvaro Morata.
Sfidanti.al