Alison dhe Tiago nuk luajnë, Liverpul jepi shans Shaqirit ndaj Arsenalit!

Po ndodhin katastrofa jo të vogla, dhe mjafton të shohësh sesi përfundoi Bajerni apo Mançester Siti. Apo se çfarë hoqi Paris SG në dy javët e para të renditjes në Francë! Këtë e di mirë trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, ndërsa skuadra e tij do të presë sot Arsenalin në stadiumin “Anfild”, veçse duke pasur mungesa të rëndësishme. Nuk po flasim për tifozët në tribunën e frikshme “Kop”, sepse ata kanë disa muaj që nuk janë aty, por portieri titullar, Alison Beker, nuk është i gatshëm për shkak dëmtimi. Po ashtu edhe blerja e re, Tiago Alkantara. Nëse spanjolli nuk mund të quhet ende plotësisht mungesë (për shkak se ai ka fare pak kohë në ekip), gjithsesi Klopi do të ketë boshësi në mesfushë sepse nuk luan as kapiteni Xhordan Henderson. Gjithsesi, Klopi mund të gjejë një mënyrë krejtësisht origjinale për të kaluar hallet në ndeshjen e orës 21:00 në Premier Ligë. Ai mund të hedhë në fushë Xherdan Shaqirin, që nuk është i dëmtuar dhe që shkëlqeu në Kupën e Ligës duke shënuar gol.

Sfidanti.al