Nuk dihet se çfarë ndeshjeje ka parë trajneri bardhezi, por ndoshta nuk ka qenë aspak në stadiumin “Alianc” të Torinos. Pavarësisht se Juventusi fitoi 1-0 ndaj Fiorentinës në Serinë A, sërish statistikat flasin për një “Zonjë” tepër të vjetër dhe pa asnjë gjuajtje në portë deri në 86’, pra deri 4 minuta para fundit. Jo vetëm kaq, por edhe goli i fitores, i shënuar në minutat shtesë, ishte meritë e Huan Kuadrados që realizoi një aksion personal dhe shënoi në një pozicion tepër diagonal ku rrallë mund të kesh sukses. Për më tepër, në pjesën e parë Fiorentina ishte më lart, ndonëse nota pozitive ishte fakti që Matijs De Ligt arriti të neutralizonte rrezikun më të madh të miqve, sulmuesin Dushan Vlahoviç. “Me paraqitje të tilla është më e lehtë të fitohet”, – tha Alegri, por ndoshta ka parë ndeshjen e Sitit ndaj Junajtidit, jo atë të Juventusit të tij.
Sfidanti.al