Më në fund pritja përfundoi dhe klubi katalanas e prezantoi trajnerin e tij të ri. Ksavi Hernandez shkeli sërish në tapetin e blertë në “Kamp Nou” ku ishin 10 000 tifozë, një shifër tepër e rëndësishme për një teknik dhe për momentin negativ të Barcelonës. Ndërsa përshëndeti njerëzit në tribuna, dhe qendroi në krah të presidentit Laporta e gruas së tij, Nuria, Ksavi nuk e përmbajti dot veten pa i shpëtuar disa lot nga sytë. “Gjithsesi, nuk dua që të jem shumë emocional, – tha ai, – ne jemi klubi më i madh i botës dhe duhet të kthehemi aty ku e kemi vendin. Do të punojmë me standardet më të larta për të pasur sukses. Nuk mund të pranojmë barazimet dhe humbjet, duhet të luajmë vetëm për fitore në çdo ndeshje”. Legjenda 41-vjeçare premtoi shumë tituj në të ardhmen, ndërsa kërkoi përkrahjen e tifozëve duke u shprehur: “Ne kemi nevojë për ju”.