Aleanca kundër Infantinos merr formë

Pozitat e Gianni Infantinos në krye të FIFA-s janë më të lëkundura se kurrë. Pas reagimeve të ashpra të UEFA-s dhe Federatës Gjermane të Futbollit ndaj planit për të lejuar hyrjen e fondeve private në aksionariatin e FIFA-s, presidenti zviceran përballet me një krizë që mund të çojë ose në dorëheqjen e tij, ose në një mocion mosbesimi, i cili do të ishte i pari në historinë e organizatës.

Sipas rregullores së FIFA-s, mjafton kërkesa me shkrim e një të pestës së 211 federatave anëtare për të thirrur një Kongres të jashtëzakonshëm. Vetëm UEFA, me 55 federata, i ka votat e nevojshme për ta iniciuar këtë procedurë. Për miratimin e mocionit duhen 106 vota, ndërsa UEFA, AFC dhe CONCACAF së bashku disponojnë 143, një shumicë e mjaftueshme për të rrëzuar Infantinon nëse ruajnë unitetin.

Kriza mund të ndikojë edhe në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s në prill të vitit 2027. Deri pak ditë më parë rizgjedhja e Infantinos dukej e sigurt, por tani po flitet për kandidatë të mundshëm si presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, si dhe Arsène Wenger, aktualisht drejtues i zhvillimit global të futbollit në FIFA.

Ndërkohë, UEFA, AFC dhe CONCACAF po studiojnë masa të tjera presioni në rast se Infantino vendos të kandidojë sërish. Mes tyre përmendet bojkotimi i mbledhjeve të Këshillit të FIFA-s, por edhe krijimi i turneve ndërkombëtarë paralelë, një skenar që do të trondiste rëndë futbollin botëror.

Një burim pranë drejtuesve të kësaj nisme u shpreh se ekziston bindja se Infantino duhet të largohet dhe, nëse nuk e bën këtë vullnetarisht, do të ndërmerren të gjitha mjetet për ta larguar nga pushteti, përfshirë organizimin e kompeticioneve alternative me pjesëmarrjen e kombëtareve më të forta.