Akuza Modriçit për miliona, dhe vëllezërit Mamiç në burg, ç’ndodh në “fabrikën” e futbollit, Dinamo Zagreb?!

Nga Jugosllavia e dikurshme, klubi më i njohur mbetet Crvena Zvezda që fitoi Championsin, por pas 1991-it, “kreun e vendit” e ka zënë Dinamo e Zagrebit. Kroatët krijuan klubin më të aftë ballkanas për krijimin dhe grumbullimin e talenteve dhe për transferimin e tyre jashtë, duke “thithur” dhjetëra milionë euro, diçka që nuk e bëri dot as Zvezda, as Partizani i Beogradit dhe as Hajduku i Splitit. Gjithsesi, sot Dinamo ndodhet në krizë të plotë që rrezikon ta shkatërrojë nga themelet. Trajneri Zoran Mamiç është dënuar me 4.5 vjet burg me akuza për korrupsion duke shkaktuar dëm prej rreth 15 milionë eurosh, ndërsa disa kohë më parë ishte dënuar ish-shefi i klubit dhe njeriu më i fuqishëm në historinë e Dinamos këto dekada, Zdravko Mamiç.

Ky i fundit u dënua me 6.5 vjet, por u arratis në Bosnjë dhe që nga qyteti kroato-boshnjak i Mostarit mbajti një konferencë duke akuzuar dy nga yjet e skuadrës, Luka Modriç e Dejan Lovren, se i kanë shkaktuar dëm klubit. “Unë i mora paratë nëpërmjet Modriçit dhe Lovrenit, – tha ai, – Modriç ende ka disa milionë euro në një llogari bankare. Ai i mori paratë dhe ia dha familjes Mamiç. Nëse ne duhet të kthejmë paratë, këtë duhet të bëjnë edhe dy lojtarët”. Modriç ka qenë në gjyq në Kroaci disa kohë më parë, por më pas u nxorr i papërfshirë.

Sfidanti.al