Borusia e Mynshengladbahut dhe skuadra nga Bergamo do të kthehen në shtëpi me ndjenja të dyfishta në përfundim të këtij edicioni në Champions. Përtej trimërisë, ata nuk patën përvojën dhe ndoshta cilësinë e duhur për të konkurruar më tej, ndërsa përballë ishin superfuqi edhe pse të llojeve të ndryshme.
Atalanta u mund për së dyti nga Reali i Madridit, 13 herë kampion i Europës, ndërsa në fushë ishin të tillë si Benzema, Kros, Modriç, Varan, apo Sergio Ramos. Italianët, për shkak edhe të mungesës së përvojës bënë gabime si portieri Sportielo që i dhuroi topin Modriçit për golin e parë. Gjithsesi, kualifikimi i Realit ishte logjik siç mund të jetë kualifikimi i një skuadre të madhe. Benzema, Sergio Ramos (penallti) dhe Asensio shënuan për vendasit, ndërsa Luis Muriel realizoi shumë bukur për 1-2 me goditje dënimi. Reali kishte fituar 1-0 edhe në Bergamo.
Siti pati më pak dramë, pasi shënoi dy gola e nuk pësoi asnjë. Skuadra e Pep Guardiolës bëri detyrën duke u kualifikuar me golaverazhin 4-0 ndaj një ekipi që kishte marrë pikë ndaj Realit dhe kishte eleminuar Interin në grup. Kevin De Brujn dhe Ilkai Gyndogan realizuan shumë shpejt, që në 18’ e para, ndërsa Siti duket në formë, por sidoqoftë, me gabimet që ka bërë sezonet e kaluara ende nuk jep aq shumë besim.
Sfidanti.al